Një aksident i rëndë ka ndodhur në Pluk të Lushnjes ku dy automjete kanë përfunduar në ambientet e brendshme të një lokali. Si pasojë një person ka mbetur i plagosur, ndërsa lokali dhe dy makinat janë shkatërruar totalisht.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, drejtuesi i automjeti tip “Volksvagen” ka humbur kontrollin dhe ka goditur një automjet tip “Benz”, i cili ishte parkuar dhe të dy makinat kanë përfunduar brenda lokalit. Shoferi është dërguar menjëherë me urgjencë në spitalin e Lushnjes.
Aksidenti mund të rezultonte me pasoja më fatale nëse do të kishte ndodhur gjatë ditës, por fatmirësisht lokali ka qenë i mbyllur dhe nuk ka pasur klientë apo personel në momentin e përplasjes. Ende nuk dihen shkaqet që sollën aksidentin. Pronarja e lokalit shprehet se dëgjuan një zhurmë të madhe, teksa ishin në shtëpi dhe panë nga kamerat e sigurisë më pas se çfarë kishte ndodhur.
“Dëgjuam një zhurmë të tmerrshme ndërsa ishim në shtëpi dhe pamë nga kamerat çfarë kishte ndodhur. Këtu është shkatërruar gjithçka”, deklaroi ajo.