Siguria e qytetarëve dhe e miliona turistëve që zgjedhin Shqipërinë mbetet prioritet, teksa sezoni turistik vjen me masa të shtuara sigurie, tha nga porti i Durrësit kryepolici Skëndër Hita.

Gjatë aktivitetit që po mbahet mëngjesin e kësaj të premteje për masat për garantimin e sigurisë gjatë sezonit veror 2026, u vu theksi se Policia e Shtetit, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare do të jenë në terren me kapacitete të shtuara, teknologji moderne dhe gatishmëri të plotë për të garantuar rendin, sigurinë dhe një shërbim dinjitoz gjatë gjithë sezonit.

Hita tha se këtë sezon monitorimi do të bëhet edhe me dronë. Gjithashtu, mjetet detare që u përkasin shtetasve të huaj do të verifikohen në kohë reale.

“Ne po aplikojmë me sukses praninë e efektivëve me biçikleta në pedonale dhe vijën bregdetare. Kjo rrit efikasitetin dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët. Vëmendje e veçantë i kushtohet sigurisë detare dhe Njësia Poolicore Detare është në gatishmëri të plotë 24/7. Patrullimet shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Këtë sezon, njësia policore detare do të mbështetet edhe nga ajri, përmes dronëve. Nuk do të tolerohet asnjë shkelje me mjetet lundruese që rrezikojnë jetën e pushuesve. Shërbimet tona do të kryejnë verifikimet dhe regjistrimet e mjeteve lundruese të huaja duke verifikuar në TIMS”, tha Hita.

Një nga kërkesat kryesore të Hitës ishte edhe vigjilenca e shtuar e efektivëve dhe trajtimi i qytetarëve me etikë e humanizëm, teksa nxiti edhe bashkëpunimin e këtyre të fundit me policinë.