“Teuta Basket”, konfirmoi edhe një herë se ky është viti i saj në basketboll. Edhe në kategorinë e 16-vjeçarëve të kampionatit kombëtar të basketbollit shqiptar, ekipi i Teutës ka rezultuar fitues. Ndeshja finale u zhvillua paraditen e së shtunës në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, ku përballë ekipit të detit ishte skuadra “Superior Basket”.

Ndeshja është zhvilluar në katër perioda dhe djemtë e “Teuta Basket”, kanë fituar me rezultatin 72 me 61. Me këtë fitore “Teuta Basket”, shton trofetë e saj në të gjithë këtë kampionat për të gjitha kategoritë. Kujtojmë se “Teuta Basket” këtë vit është fituese e kupës së Republikës, fituese e kampionatit shqiptar të basketbollit për kategoritë e të rriturve, të 18-vjeçarëve dhe 16-vjeçarëve.