Një video tjetër publikohet nga masakra me tre të vdekur në Shkodër.
Ndërsa ende nuk ka mbërritur policia dhe ambulancat, viktimat janë të shtrira në tokë dhe disa të rinj po i japin ndihmën e shpejtë dhe po lajmërojnë urgjencën.
Të vdekur mbetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe Flutura Basha.
Si ndodhi ngjarja?
Numri i viktimave nga masakra në Shkodër shkoi në tre me vdekjen e Arlind Bushatit, djalit të ish-kandidatit për deputet në këtë bashki, Xhemal Bushati.
Një makinë në lëvizje me autorë ende të paidentifikuar qëlloi në armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Lici ndërroi jetë, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë.
Lici dhe Bushati po udhëtonin nga Shkodra drejt Koplikut me makinën tip Benz me targa kroate, në momentin që u qëlluan.
Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje.
Përpara disa ditësh Arlind Bushati denoncoi në polici një atentat të dështuar ndaj tij në qendër të qytetit të Shkodrës.
Ai po qëndronte jashtë një lokali kur dy të rinj iu afruan me motor dhe i drejtuan armën, por dyshohet se arma u është bllokuar.
Në këtë masakër me tre viktima, e vdekur mbeti edhe një kalimtare e cila po udhëtonte më motor së bashku me bashkëshortin.
Bashkim Basha dhe Flutura Basha kanë qenë duke udhëtuar me motor kur mjeti tip Benz me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati ka humbur kontrollin dhe i ka përplasur.
Për shkak të plagëve të rënda Flutura Basha ka ndërruar jetë, ndërsa Bashkim Basha vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, aktualisht i vetmi i plagosur nga ngjarja.
Një makinë tip Land Rover model i ri e djegur është gjetur në fshatin Grudë e re të Shkodrës 10 minuta pas ngjarjes. Brenda saj janë gjetur 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat.
Nga ana tjetër në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën tre pistoleta.
Dyshimet e para nga atentati janë përplasjet mes dy grupeve në Shkodër, Bajrat dhe Licët.
Deri më tani disa persona janë shoqëruar në komisariat, ndërsa ende nuk ka një autor.