Rezultatet e një anketimi nga psikologët amerikanë tregojnë se rrjetet sociale si Facebook, Twitter, Pinterest, Instagram, Snapchat dhe Tumblr i bëjnë njerëzit të ndihen të vetmuar e të izoluar.

Përdorimi i përditshëm i rrjeteve sociale për dy orë ose më gjatë i dyfishon shanset për t’u ndjerë të vetmuar ose të izoluar, ndërkaq ekspozimi ndaj imazheve të ndryshme mund të shkaktojë ndjenja të inatit dhe xhelozisë.

Autorët e studimit theksojnë se ajo çfarë shohim në rrjete sociale jo domosdoshmërisht mund të jetë arsyeja se përse ndihemi keq, por mund të jetë një nga faktorët sepse i nxit emocionet që ndiejmë. Sipas teorive të prezantuara në rezultatet e studimit, thuhet se aq më shumë kohë që shpenzojnë njerëzit në rrjete sociale, aq më pak kanë kohë të bashkëveprojnë në jetën reale.

Përdorimi i rrjeteve sociale mund të kontribuojë edhe në ndjenja të përjashtimit, kjo ndodh kur përdoruesit e rrjeteve sociale shohin fotografitë e miqve në ndonjë organizim në të cilin ata nuk kanë qenë të ftuar. Shkencëtarët thonë se kjo është një temë e rëndësishme për t’u studiuar pasi problemet mendore dhe izolimi social mes të rinjve është në nivel epidemik.

Rikujtojmë se, jetojmë në kohë të çuditshme, kur për disa njerëz një status në internet mund të jetë më i rëndësishëm se ajo që ndodh në jetën e vërtetë. Ne e vlerësojmë jetën e të tjerëve bazuar në fotot e shpërndara në faqet e tyre në rrjetet sociale apo nga ajo se çfarë ata shkruajnë për veten. Dhe shpesh gjykimet tona janë të gabuara. Por çiftet e lumtura në fakt nuk e bëjnë publike gjithë jetën e tyre në rrjetet sociale dhe kjo për disa arsye. Kur njerëzit janë të lumtur në marrëdhënien e tyre ata janë të përkushtuar më tepër për të jetuar momentin.