Teuta dhe Elbasani kanë ndarë nga një pikë në javën e 11-të të Superiores. Ndeshja në stadiumin “Niko Dovana” u mbyll me rezultatin 0 me 0. Trajneri Edi Martini, ndër të tjera përmendi arbitrin Cjapi si tendencioz.
“Në radhë të parë dua të komplimentoj djemtë se luajtën me agresivitet. Në rastet e humbura duhet të jemi shumë të kujdesshëm, kishim shumë raste sidomos në të parën, kur nuk shfrytëzon mund ta pësosh si në fund. Jam i pakënaqur me Cjapin, çdo dylyftim i ekipit tonë ishte faull kundra. Në çdo moment tendencioz, sot nuk mund të jepte gjë tjetër se është VAR, dhe goli që u anulua ishte nga VAR, nuk pres më shumë nga Cjapi.
Elbasani është ekip që del shumë gradualisht, po ta presosh lart në mënyrën e duhur, është ekip pastaj që luan vetëm me topat e gjatë. E kishim menduar ta bëjmë presimin shumë lart. Djemtë e përballuan mirë, kisha frikë të mos kesh Danielin dhe Kotobellin, dy qendra, pra isha i kushtëzuar.
Humbja me Bylisin ndodh një herë, kur komplet ekipi del nga detyra. Dhe kushtet e fushës ishin maksimalisht të këqija, kemi punuar të rrisim gjendjen morale. Unë i njoh këto djem, nuk ishin si ato në Ballsh, prisja të fitoja me thënë të drejtën se e meritonin dhe gjatë javës dhe si kanë reaguar, kisha besim që do të reagonin dhe do ta fitonim ndeshjen”, u shpreh Martini.