Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato italiane po organizojnë një operacion antidrogë, në kuadër të së cilit janë lëshuar 38 urdhër-arreste. Sipas mediave fqinje, arrestimet po kryhen në Shqipëri, Itali, Spanjë dhe Mal të Zi, ku mësohet se janë konfiskuar pasuri me vlerë miliona euro.

Hetimet kanë filluar prej në vitin 2018 deri në 2020, në sajë edhe të dy operacioneve të kryera më herët nga DIA, “Shefi” dhe “Kulmi”. Gjithashtu në ndihmë të hetuesve kanë qenë edhe deklaratat e 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Përveç fenomenit të korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave, u zbardh i gjithë “zinxhiri i furnizimit” të drogës në lidhje me kultivimin, prodhimin, grumbullimin, magazinimin dhe dërgesën në brigjet e Puglias.

Detajet e operacionit do të njoftohen gjatë një konference për shtyp që do të mbahet në orën 10.30, ku pritet të marrë pjesë Prokurori Kombëtar i Antimafias, Federico Cafiero De Raho, Prokurori Special i Anti-Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës, Arben Kraja, Filippo Spiezia i Eurojust, prokurori i përkohshëm i Bari, Roberto Rossi, Giuseppe Gatti i Drejtorisë Kombëtare Anti-Mafia, drejtori i DIA, Maurizio Vallone dhe drejtori i Policisë Shqiptare, Ardi Veliu.