Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka identifikuar tre kandidatë për postin e Sekretarit të Shtetit, duke përfshirë ish-drejtorin e tij të inteligjencës kombëtare dhe senatorin e Floridës, Marco Rubio, ka raportuar Politico.

Gjatë një takimi tre javë më parë, Robert O’Brien, ish-këshilltari i Trumpit për sigurinë kombëtare, u tha anëtarëve konservatorë të Kongresit se Trump po konsideronte tre persona për rolin e kryediplomatit të Uashingtonit, raportoi Politico të enjten, duke cituar një punonjës republikan.

Rubios i bashkohet në listë senatori i Tenesit, Bill Hagerty dhe ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Richard Grenell.

Rubio është një “skifter” i politikës së jashtme dhe ishte një përkrahës i hershëm i ndihmës ushtarake për Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë. Megjithatë, ai votoi kundër një projektligji ndihme të huaj prej 95 miliardë dollarësh në prill, i cili përfshinte rreth 60 miliardë dollarë për Kievin, dhe deklaroi të mërkurën se konflikti kishte arritur në një “ngërç” dhe “duhet të arrihet në një përfundim”.

Hagerty shërbeu si ambasador i Trump në Japoni përpara zgjedhjes së tij në Senat në vitin 2020. Ashtu si Rubio, ai votoi kundër projektligjit të ndihmës në prill, duke argumentuar se nuk do të dërgonte para jashtë shtetit derisa të sigurohej kufiri SHBA-Meksikë.