Banorët e Njësisë Administrative Pajovë kanë protestuar për të sensibilizuar strukturat shtetërore për marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Protesta e banorëve ishte njoftuar më herët dhe mori shkas nga aksidenti tragjik i disa ditëve më parë ku humbi jetën një fëmijë 8 vjeç.

Me pankarta në duar, banorët iu drejtuan Autoritetit Kombëtar Rrugor, Bashkisë dhe Komisariatit të Policisë Peqin për vendosjen e sinjalistikës rrugore si dhe ngadalësuesve të shpejtësisë përgjatë aksit rrugor Peqin -Pajovë-Elbasan.

Në këtë segment rruge kanë ndodhur aksidente të shumta me pasoja për jetën. Protestuesit thanë se kanë humbur jetën të paktën 5 fëmijë në këtë rrugë.

“Drejtësi për Endin” ishte parulla që mbizotëronte nga ta, ndërkohë që të pranishëm në protestë ishin edhe fëmijët që kërkonin siguri për veten.