Rihanna i ka lënë fansat e saj sërish në mëdyshje dhe të konfuzuar pas disa komenteve që ajo dha në një ngjarje të markës së saj “Fenty Beauty” në Barbados, ku parashtroi edhe mundësinë e një tërheqjeje nga muzika. 

Këngëtarja e njohur për hitet e saj tha se muzika ishte ajo që e bëri të famshme, por shtoi se “Zoti ka plane të tjera” për të ardhmen e saj. Këto fjalë të pasqaruara mirë nxitën shqetësime se albumi i shumëpritur i nëntë mund të mos publikohet kurrë, duke lënë kështu fansat e saj të trishtuar.

Rihanna nuk ka nxjerrë një album të ri që nga viti 2016, dhe performanca e saj e fundit në muzikë ishte gjatë shfaqjes së Super Bowl 2023.

Ndërkohë, emra të mëdhenj të muzikës si Taylor Swift dhe Beyoncé kanë realizuar turne të suksesshme, duke shtuar dëshirën e fansave për një rikthim të Rihanna-s në skenë.

Komentet e saj misterioze shkaktuan një reagim të menjëhershëm në mediat sociale. Disa fansa shprehën trishtim dhe disa të tjerë mbështetje.  

“Rihanna tha se Zoti ka plane për të tjetërkund… Duket se është përfundimisht e tërhequr nga muzika,” shkroi një përdorues në X (Twitter). “Nuk do të kemi më muzikë të re nga Rihanna,” shtoi një tjetër, me një emoji zemre të thyer.

Megjithatë, disa fansa mbështetën vendimin e Rihanna-s për t’u përqendruar në projekte të tjera, si marka e saj e bukurisë “Fenty”.

“Ne duhet të respektojmë zgjedhjen e saj. Ajo është duke kaluar në një kapitull tjetër të jetës së saj, dhe është e drejtë,” shkruajti një mbështetës.

Pavarësisht se komente të tilla kanë ngjallur spekulime, Rihanna nuk ka bërë një deklaratë të qartë për tërheqjen e saj nga muzika.

Në fillim të këtij viti, pas një fotografie ku mbante një t-shirt me mbishkrimin “I’m Retired”, Rihanna e sqaroi se mesazhi ishte keqkuptuar dhe se ishte duke punuar për muzikë të re, por kishte vendosur ta rifillonte projektin.

Për momentin, Rihanna është e përkushtuar ndaj bizneseve të saj, por pyetja mbetet: A është fundi i karrierës së saj muzikore, apo do të rikthehet një ditë në skenë?