Ashtu siç kishte deklaruar, ish-lideri i Syriza-s, Stefanos Kasselakis, deklaroi edhe zyrtarisht krijimin e partisë së tij të re politike, “Lëvizja për Demokraci” mesditën e së shtunës në Athinë.
Emri i saj u zgjodh pas një votimi tre-ditor në internet mes 15 emrash, midis mbështetësve të lëvizjes së tij.
Duke folur para një turme mbështetësish, midis tyre edhe 5 ish-deputetë të Syrizës që kanë dhënë dorëheqjen dhe tashmë janë të pavarur, deri sa ti bashkohen forcës së re politike, homogjeni greko-amerikan 36-vjeç, përshkroi vizionin e tij për një epokë të re të politikës greke.
Ai theksoi se partia e tij nuk është thjesht një “rifreskim” i modeleve ekzistuese politike, por një lëvizje inovative e drejtuar nga një ndjenjë e thellë e së kaluarës progresive të Greqisë.
Kasselakis theksoi parimet themelore të partisë së tij, të cilat përqendrohen rreth demokracisë pjesëmarrëse, nxitjes së sipërmarrjes dhe sigurimit të lëvizshmërisë sociale, atë që ai e quajti “Ëndrra Greke”.
Vizioni i tij përfshin një angazhim për një sistem gjyqësor të fortë, të pavarur dhe një shoqëri të drejtë, gjithëpërfshirëse, ku secili ka të drejtën për të punuar dhe të ketë përfitimet e një rrjeti sigurie sociale.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për një qeveri më efikase dhe një ekonomi të ndërtuar mbi inovacionin, krahas drejtësisë tatimore.
Kasselakis e cilësoi partinë e tij të re si një vazhdimësi të traditave përparimtare të vendit, e cila do të mbrojë gjithashtu politikat për klimën dhe energjinë, si dhe ato të demokracisë dixhitale.
Sa i përket politikës së Jashtme ai ka thënë se si një parti patriotike, nuk do të ketë asnjë hap pas nga të drejtat e vendit në detin Egje dhe në Qipro, asnjë marrëveshje për shfrytëzim të përbashkët të pasurive nëntokësore në detin Egje, asnjë demilitarizim të ishujve grekë.
Apel në Hagë vetëm për shelfin kontinental dhe ZEE, duke shtuar se Greqia ka të drejtë të patjetërsueshme për të shtrirë ujërat e saj territoriale deri në 12 milje, siç parashikohet nga e drejta ndërkombëtare.
Kasselakis tani pret edhe disa deputetë të tjerë që janë larguar nga Syriza për të plotësuar numrin 10 që i jep të drejtën të krijojë grupin parlamentar të partisë së re.
Ish-lideri i Syriza-s, u zgjodh kryetar i të Majtëve pas dorëheqjes së Aleksis Tsipras në zgjedhjet e verës së 2023, por brenda 11 muajsh që drejtoi këtë parti, pati divergjenca të mëdha me shumë prej anëtarëve të lartë të saj, që sollën përçarjen e kësaj partie dhe në fund largimin e tij prej saj dhe krijimin e një partie të re në skenën politike greke, të tejngopur me parti të majta, të djathta, të qendrës apo edhe të ekstremeve.
Ndërkohë, me interes të madh priten, nesër zgjedhjet për liderin e ri të partisë Syriza, e cila javën e kaluar humbi statusin e saj si opozita zyrtare e vendit.