Teuta u dorëzua pa kushte ndaj Sherif Tiraspolit dhe rezistenca e kampionëve të Shqipërisë zgjati vetëm 15 minuta, kur pësuan golin e parë. Trajneri Edi Martini, në prononcimin e dhënë deklaroi se ky gol i shpejtë solli prishjen e ekuilibrave në fushë, gjë e cila prodhoi humbjen 4-0 në “Niko Dovana”.
Martini rreshton arsyet që çuan në disfatën e durrsakëve në prezantimin e parë në Champions.
Ai vlerësoi forcën dhe cilësitë e moldavëve, të cilët njëherësh kanë nisur edhe kampionatin, kështu që Sherifi ishte më lart edhe në aspektin fizik.
Teuta vuajti edhe në këtë ndeshje në sulm, ndonëse timonieri i skuadrës durrsake vlerësoi lojën që bëri Taulant Seferi, i cili është huazuar nga Tirana për prezantimin në Europë.
Në fund, trajneri Martini është i vetëdijshëm që skuadra e tij i ka “larë duart” me Champions-in, por premton se Teuta do ta respektojë garën edhe në ndeshjen e kthimit në Moldavi më 13 korrik.
Çfarë nuk shkoi me Teutën në prezantimin e parë në Champions?
Golin e parë e pësuam herët, që në minutën e 15-të, dhe kjo solli edhe prishjen e ekuilibrave në fushë. Normalisht deri në ato minuta ishim të kujdesshëm, por pësimi i atij goli ndryshoi rrjedhën e lojës. Pësuam gola që edhe mund të evitoheshin dhe të bënim më mirë. Megjithatë, dihet forca e kundërshtarit, Sherifi është një ekip mjaft i mirë dhe i shpejtë. Ata kanë përgatitje të lartë fizike, plus që e kanë kapur formën pasi e kanë nisur kampionatin në Moldavi.
Mos ndoshta që në fillim të ndeshjes duhet të kishit luajtur pak më lart, duke i bërë presion kundërshtarit?
E kishim planifikuar të luanim pak më lart, megjithatë kundërshtari na mori metra në fushë duke na zbritur poshtë. Kjo vjen nga cilësia e ekipit të Sherifit.
Insistojmë se çfarë nuk shkoi te Teuta, e cila ishte e paqartë edhe para portës. Një sëmundje e vjetër, ndonëse në majë ishte Seferi?
Seferi luajti mjaft mirë, por e thashë që kundërshtari na mori mesin e fushës duke krijuar superioritet numerik në këtë repart. Ata ishin më mirë fizikisht dhe duke na marrë mesin e fushës, kontrolluan lojën.
Duke parë këtë rezultat, mund të themi se Teuta i ka “larë duart” që tani me Champions-in?
Normalisht po, pasi janë katër gola, gjë që e bën të pamundur përmbysjen në ndeshjen e kthimit në Moldavi. Gjithsesi, ne do ta respektojmë garën edhe në ndeshjen e kthimit.