Në prag të Asamblesë Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Atletikës, ku përballë Taulant Stërmasit ka dalë ish-kampioni i Europës Izmir Samjlaj, ka reaguar hapur edhe Luiza Gega.Ajo ka sulmuar ish-kampionin e Europës madje dhe organizatorët e zgjedhjeve, duke u shprehur se duan të njollosin çdo pikë të drejtësisë me manipulimin e tyre.Atletja shqiptare ishte e ashpër në reagimin e saj, duke e akuzuar Smajlaj për manipulimet që bëheshin në Federatë dhe se është përpjekur që të mos ishte pjesë e “këtyre lojërave të ndyra”, siç e komentoi ajo.
Kampionia e Europës me rekord, ka dalë me anë të një deklarate, ku shpreh të gjithë indinjatën e saj për situatën e krijuar: “Dua të ndaj diçka si sportiste që lufton të ndërtojë diçka të mirë për veten dhe vendin e saj, diçka që më prek në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga e cila varet e ardhmja e shumë sportistëve që duan të bëjnë diçka të mirë për vendin e tyre. Sporti më ka mësuar shumë gjëra, më ka mësuar të ëndërroj, të punoj fort, të garoj për të dhënë më të mirën, të garoj ndershëm, të respektoj kundërshtarin, të gëzoj fitoren si dhe të pranoj humbjen.
Atë që nuk më mësoi kurrë, ishte se si unë të hesht dhe t’i lë gjërat për të cilat jam përpjekur më shumë, si të hesht kundër padrejtësive, manipulimeve dhe ti le vend pendesës dhe të them që pse të paktën nuk u përpoqa. Prandaj sot dua të përpiqem që atë që dua më shumë mos të ma shkatërrojnë në mënyrën më të ndyrë. Dhe duhet të më besoni që nuk ka asgjë personale, por çdo gjë e kam me fenomenin dhe me këdo që do të vepronte në këtë mënyre”.