Megjithëse jemi në atmosferë kuqezi për shkak të festës së pavarësisë dhe çlirimit të vendit, në Durrës kanë nisur të shfaqen gjithnjë e më shumë edhe dekoret e festave të fundvitit.
Nuk mund të ketë Krishtlindje e Vit të Ri pa dritat festive e ato kanë nisur të vendosen në biznese, sheshin “Liria” dhe rrugët kryesore. Por këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, në akset rrugore ka nisur të qarkullojë një automjet i mbuluar me drita.
Duket si makina e “babagjyshit”, por sot për t’iu bashkuar frymës patriotike, krahas dritave shumēngjyrëshe ishte stolisur edhe me flamujt kuqezi.
Ajo i ishte bashkuar shumë mjeteve të tjera që ishin dekoruar me flamurë e qarkullonin në rrugët e qytetit duke përcjellë tek kalimtarët atmosferën festive.