Për punonjësin e Muzeut të Historisë së Gulagut, Mikhail, mbyllja e këtij muzeu nga autoritetet ruse është një humbje e madhe.

“Është një humbje shumë e madhe. Shpresoj që mos jetë e përhershme. Njerëzit duhet ta vizitojnë, të kuptojnë dhe ta dinë se çfarë ka ndodhur gjatë periudhës së Gulagut ngaqë nuk duhet të përsëritet dhe kjo është arsyeja se përse ekziston muzeu”, thotë ai.

Muzeu dokumenton vuajtjet e miliona njerëzve të shpallur tradhtarë dhe armiq të shtetit nga regjimi sovjetik, që u dërguan në kampe pune të detyruar në mbarë Bashkimin Sovjetik, të njohura si Gulag. Muzeu ekspozon dokumentet zyrtare shtetërore dhe fotografitë e sendet personale të viktimave të Gulagut, një periudhë që historianët e njohin si epoka e represionit të gjerë politik.

Muzeu është themeluar në vitin 2001 dhe ai gjendet në qendër të Moskës.

Autoritetet ruse urdhëruan mbylljen e muzeut me arsyetimin se ai nuk përmbush rregullat e sigurisë nga zjarri. Por vendimi për mbylljen e tij vjen në një kohë kur Kremlini po shtyp disidentët nga radhët e shoqërisë civile dhe po bën fushatë intensive kundër atyre që vënë në mëdyshje interpretimin që shteti i bën historisë.

Gjatë 24 viteve që Presidenti Putin ka qëndruar në pushtet, ai ka bërë përpjekje për të rishikuar historinë e Rusisë dhe marrëdhënien e saj me Bashkimin Sovjetik.

Ndonëse ndonjëherë ai e ka kritikuar shtypjen e Stalinit gjatë viteve 1930, zoti Putin e konsideron atë kryesisht si një udhëheqës të jashtëzakoshëm në kohë lufte.

Për banoren e Moskës Yulia, një muzikante, mbyllja e muzeut është vendim i duhur.

“Përse t’i jepet kaq hapësirë kësaj historie? Unë jam mbështetëse e Stalinit. Ka kaq shumë shpifje ndaj qeverisë sovjetike dhe kaq shumë dokumente të falsifikuara. Jam kundër institucioneve të tilla. Njerëzit kanë vdekur në çdo periudhë dhe në çdo kohë, sikurse edhe tani. Nganjëherë ata vdesin për diçka, e nganjëherë për asgjë. Diçka ndodh gjithmonë. Nuk mund të ndërtojmë monumente për secilën epokë”, thotë ajo.

Në vitin 2021, ky muze u shpërblye nga Këshilli i Evropës, për të cilin u tha se punon për “të ekspozuar historinë dhe për të mbajtur gjalë kujtesën me qëllim që të forcojë rimëkëmbjen e shoqërisë civile dhe rezistencën e saj ndaj represionit politik dhe shkeljes së të drejtave të njeriut tani dhe në të ardhmen”.

Në tetor, muzeu organizoi një aktivitet të titulluar “Kthimi i Emrave”, ku u lexuan emrat e të vrarëve gjatë terrorit sovjetik.

Për dallim nga muzeu që kujton këtë periudhë, librat shkollorë i kushtojnë pak vëmendje miliona viktimave të periudhës së Terrorit të Madh, duke e konsideruar si temë të papërshtatshme krahas promovimit të Bashkimit Sovjetik si një fuqi që mundi Gjermaninë naziste.

Autoritete ruse gjithnjë e më shumë po i vënë në shënjestër individët dhe grupet që kundërshtojnë këtë qasje, sidomos që kur filloi lufta e Rusisë në Ukrainë.

Në vitin 2021, autoritetet ruse urdhëruan likuidimin e organizatës “Memoriali”, një organizatë joqeveritare laureate e çmimit Nobel, që dokumenton viktimat e represionit sovjetik dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi aktual./voa