Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha kritikoi ashpër politikat e qeverisë për mjedisin dhe trashëgiminë kulturore. Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Berisha deklaroi se Partia Demokratike ka qenë kundërshtare e të gjitha ligjeve që, sipas tij, kanë dëmtuar mjedisin dhe trashëgiminë kulturore gjatë qeverisjes së Edi Rama.
Ai u ndal veçanërisht te ligji për Butrintin dhe zonat e mbrojtura, duke e cilësuar atë si një ndër goditjet më të rënda ndaj pasurive kombëtare. Sipas Berishës, ligji special për Butrintin ndau qytetin arkeologjik nga pjesa natyrore e parkut, me synimin për të favorizuar interesa të caktuara. Kryedemokrati u shpreh gjithashtu se ligji i heq shtetit përgjegjësinë për mbrojtjen e pasurisë dhe ia dorëzon privatit, duke e cilësuar këtë si një rast unik në botë.
“Tani, meqenëse do ndalem pak në këtë çështje, kërkoj mirëkuptimin tuaj. Dhe pse do ndalem? Jo vetëm për lajmet e rreme dhe trillimet që përpiqen të përhapin për qëndrimet e Partisë Demokratike ndaj mjedisit. Por para së gjithash, për të faktuar se kjo parti ka qenë kundërshtare, kundërshtarja më e vendosur e të gjitha ligjeve anti-mjedis, anti-trashëgimi kulturore të miratuara nga Edi Rama. Kjo parti kur erdhi në pushtet në 2005-ën gjeti 3%, 3 deri në 4% zonat e mbrojtura. Në vlerësim të tyre, rriti sipërfaqen në 17-18%.
Në vlerësim të tyre, vendosi kuadrin ligjor më të fortë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Dhe gjatë periudhës në pushtet, ajo bëri, miratoi ligjet më të mira. Neroni i trashëgimisë kulturore dhe mjedisit erdhi, i rrëzoi një nga një ato. I ndryshoi një nga një ato. Tani unë do të rikujtoj qytetarët shqiptarë mbi qëndrimet tona gjatë viteve në opozitë. Gjatë viteve në opozitë. Do fillojmë me ligjin special për dhënien me koncesion të Butrintit.
Butrinti në periudhën e qeverisjes sonë ishte një zonë 9,200 hektarë. Absolutisht asnjë ndërtim i ri në atë periudhë nuk është lejuar. Dhe ka ndodh, ja u them unë, isha shumë i njohur me Lord Rothschild dhe Lord Sainsbury, për fondacionin që u krijua për promovimin e tij, për përfshirjen e tij si pasuri botërore në UNESCO. Por ndodhi njëherë zgjerimi i rrugës. Zgjeruam rrugën Sarandë-Butrint. Dhe ata dhe fondacioni më shkruajtën mua një letër të gjatë, ku kërkonin çdo sqarim pse u prek mjedisi aq sa u prekte zgjerimi i rrugës. Dhe natyrisht ishte siguria e jetës së qytetarëve që prevalonte, shmangia e aksidenteve që e bëri të domosdoshëm. Kurse ligji special, çfarë bëri ligji special a e dini ju? Bëri atë që deshi Edi Rama.
Ligji special për Butrintin ishte goditja më e rëndë e një parku, se ne e kemi të lehtë të flasim, të bëjmë krahasime, unë nuk po them se është më i bukuri në botë, por unë besoj se nuk mund të ketë një park të dytë si ai për ata që e njohin. Dhe tani, për ta grabitur, duhet të ndaje njëherë pjesën e qytetit arkeologjik nga pjesa e natyrës. Të dyja kishin të njëjtën madhështi. Të njëjtën pasuri për ne dhe për ata që vijnë pas. Do ndaheshin këto që të ndërtohej Gjiri i Manastirit. Të kapej Gjiri i Manastirit nja nga qeveria. Dhe t’u ofroheshin zona të tjera. Por më e keqja, më e keqja shumë, ligji i hiqte shtetit përgjegjësinë për mbrojtjen e pasurisë. Ia dorëzonte privatit në një rast unik në botë. Nuk është e vërtetë as në Shtetet e Bashkuara dhe në asnjë vend tjetër kjo nuk ekziston,” tha Berisha.





