Është zbardhur dëshmia e 46-vjeçarit shqiptar, i cili masakroi me thikë bashkëshorten brenda banesës ku jetonin në Selanik, si edhe plagosi djalin e saj, i cili ndëhyri për të mbrojtur të ëmën.
Sipas Protothema.gr, në dëshminë e dhënë në polici ai ka deklaruar se mëngjesin e së dielës ka shkuar në shtëpi i vendosur për të vrarë gruan e tij 60-vjeçare nga xhelozia, pasi dyshonte se ajo po e tradhtonte.
46-vjeçari ndodhet në paraburgim, ndërsa djali i viktimës tha se e ëma ishte në një marrëdhënie me vrasësin e saj prej 21 vitesh.
Sipas tij, njerku shqiptar nuk kishte ushtruar asnjëherë dhunë ndaj saj, por kohët e fundit kanë pasur zënka të shpeshta dhe për këtë kanë vendosur të ndahen.
“Ai kishte paketuar rrobat dhe gjërat, do të dilte nga shtëpia”, tha djali i viktimës.
Ai rrëfeu se gjithçka ka ndodhur kur nëna e tij vuri re që 46-vjeçari po mbante një thikë në dorë gjatë një debati mes tyre. Më pas, ajo iu është lutur që ta hidhte thikën, por shqiptari ia ka ngulur në bark, duke i marrë jetën.
“Kur vëllai im kuptoi se çfarë ndodhi e sulmoi, por më pas ai e goditi me thikë”, tregoi djali i viktimës.
Ai theksoi se 46-vjeçari u largua menjëherë dhe se fatmirësisht i vëllai është jashtë rrezikut për jetën.
I pyetur nëse në të kaluarën ka pasur raste të tjera dhune mes 46-vjeçarit dhe nënës së tij, ai theksoi se “nuk i kishte prekur asnjë fije floku”.