Me tensione është shoqëruar seanca gjyqësore për dosjen “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Të akuzuarit e SPAK i janë kundërvënë bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ky i fundit dëshmoi për grabitjet e kambistëve nga grupi i tyre në Elbasan, Kavajë e Durrës. Sipas Dumanit, ai këto grabitje i bënte së bashku me të shumëkërkuarin Talo Çela, Ilirjan Feçin dhe Gentian Sharrën etj.

“Te grabitja në Kavajë, Talo Çela i ra me levë në kokë kambistit. Atij iu thye nofulla, nuk fliste dot. Morëm çantën dhe u larguam, ndamë lekët diku rreth 20 milionë. Në vitin 2012 Ardian Ozunit “cufit”, i shita një snajper. Henrik Hoxha më tregoi për atentatin ndaj Filip Gjeloshit që ishte paguar fillimisht 5 mijë Euro nga Ardian Ozuni”, ka thënë Nuredin Dumani.

Deklaratat e tij shkaktuan reagime tek të akuzuarit e tjerë nga SPAK, që ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.

I akuzuari Petrit Qoli ka thënë se “Nuredin Dumani është krijesa më e shpifur njerëzore që kam njohur në 53 vitet e jetës sime”.

Për shkak të tensioneve, seanca u ndërpre për disa minuta.