Briken Calja ka treguar edhe një herë nivelin e tij të lartë në sportin e peshëngritjes, duke përfaqësuar Shqipërinë me krenari në Kampionatin Botëror në Bahrein.

Edhe pse gara gara nuk filloi mirë, vendi i katërt në botë në stilin e shkëputjes është një arritje e madhe për shtangistin nga Shtërmeni.

Në stilin e shkëputjes, Calja arriti të ngrejë 153 kg, duke treguar forcë dhe përqendrim maksimal pas dy provave të dështuara me 152 kg. Ky rezultat e afroi shumë me zonën e medaljeve, duke e vendosur atë në vendin e katërt në botë.

Ndërkohë, në stilin e shtytjes, fati nuk ishte në anën e tij. Përpjekjet me 183 kg nuk u kurorëzuan me sukses, çka e la jashtë klasifikimit të dygarëshit.

Pas garës, Calja reagoi me një mesazh të fuqishëm ndaj kritikave, duke theksuar sakrificat dhe përpjekjet e tij për të arritur majat:

“Të jesh i katërti në botë mes miliarda njerëzve nuk është kurrë dështim. Kritikat dashakeqe më japin vetëm forcë për të vazhduar përpara”, tha ai.

Ky rezultat konfirmon vazhdimësinë e Caljës si një nga ambasadorët më të mëdhenj të sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare.