Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në ceremoninë e dhënies së “Medaljes së Artë” për nxënësit ekselentë. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ju ka thënë nxënësve se ata janë heronj. Më tej, Rama ka shtuar se ky është i  vetmi moment gjatë punës së tij gjatë vitit që i duket vetja më i shkurtër se ata që ka përballë. 

“E kujtoj gjithmonë kohën kur kam qenë sa ju, dhe ku gjendesha nën bombardimin e prindërve flisja me vete dhe i thosha betohu që kurrë nuk do ta harrosh që kur të bëhesh sa këta nuk do të bësh si këta. 

Dhe nuk do japësh këshilla të pakërkuara. 

Jam i bindur që ndër ju ka vajza dhe djem që janë rritur me familje me halle, që kanë vetëm njërin nga prindërit në punë, që i kanë marrë të gjitha 10 duke pasur edhe një alternativë tjetër, për të gjetur të gjitha justifikimet e mundshme për të mos qenë në majë dhe për të mos qëndruar në majë. 

Jam i bindur se mes jush ka vajza dhe djem që mund të kenë pasur nevojë për të ecur gjatë në këmbë për të shkuar në shkollë dhe për tu kthyer nga shkolla. 

Por, ja që pavarësish vështirësive ju keni zgjedhur rrugën më të vështirë, ti sfidoni të gjitha vështirësitë që jeni hasur jo për fajin tuaj. Sot jeni këtu si shëmbëlltyra e suksesit të gjatë, është një jetë e tërë në shkollë, duke ngjitur të përpjetën, duke bërë që sot këtu të jeni më majë dhe maja të tjera janë para jush për tu ngjitur. Për këtë arsye jeni heronj për mua. 

Ky i dhënies së medaljeve të arta është i vetmi moment gjatë punës sime më duket vetja më i shkurtër se ata që kam përballë. besoji në këtë gjë, besojeni se ju kam zili. E gjithë bota është para jush që ta zotëroni. Keni të gjithë kohën e nevojshme përpara, ndryshe nga unë në kohën tuaj, keni gjithçka në dispozicion nëse doni që dija juaj të jetë sa bota. Nuk ju mungojnë rrugët për të shkuar në çdo cep të dijes që ka bota falë teknologjisë”,-tha Rama.