Në fjalimin e tij tradicional për Krishtlindje, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje njerëzve në Gjermani të qëndrojnë së bashku kundër urrejtjes ku përmendi sulmin në Magdeburg dhe zgjedhjet e ardhshme.
“Një hije e errët qëndron mbi këto Krishtlindje. Ju nuk jeni vetëm në dhimbjen tuaj. Njerëzit në të gjithë vendin tonë vajtojnë me ju. Urrejtja dhe dhuna nuk duhet të kenë vend. Të mos lejojmë që të ndahemi. Le të qëndrojmë së bashku.”
Steinmeier diskutoi edhe për zgjedhjet e ardhshme gjermane, të cilat do të zhvillohen në Shkurt 2025.
“Ka një pakënaqësi të madhe për politikën, biznesin, burokracitë, për padrejtësinë. Retorike në vendin tonë është bërë më i ashpër, herë pas here armiqësore, në jetën tonë të përditshme. Ka shumë sfida me të cilat duhet të përballemi. Ne duhet të flasim sinqerisht për atë që po shkon keq… Mbi të gjitha, ne duhet të flasim për atë që duhet bërë urgjentisht.”
Sipas Steinmeier, kolapsi i qeverisë gjermane “nuk është fundi i botës”, ndërsa u bëri thirrje të rinjve që mund të zgjedhin rrugën e tyre në jetë.
Autoritetet në Gjermani po vijojnë hetimet pas sulmit tragjik në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg për të vlerësuar gjithashtu gabimet e sigurisë. Motivi i mundshëm i sulmit ende mbetet i panjohur. Taleb Abdulmohsen një psikiatër 50 vjeç shquhej si opozitar në Arabinë Saudite, ndërsa në Gjermani ishte përfshirë në organizata që lehtësojnë procedurat e azilit për shtetasit nga ky vend që përndiqen politikisht.
Arabia Saudite kishte lajmëruar vazhdimisht policinë gjermane për shtetasin e tyre al-Abdulmohsen, që jeton në Gjermani që nga viti 2006. Ndërsa një komb mban zi, me qytetarët që vijojnë të bëjnë homazhe në vendin e ngjarjes, pyetjet që janë ngritur tanimë janë se çfarë mund të ishte bërë më shumë dhe nëse autoritetet mund të kishin vepruar sipas paralajmërimeve.
Ndërkaq rreth 4000 njerëz morën pjesë në një tubim të Alternativës për Gjermaninë (AfD) në sheshin e katedrales së Magdeburgut ku bashkëudhëheqësja Alice Weidel bëri thirrje për ndryshim. Protestuesit bënë thirrje për deportimin e emigrantëve.