Jo vetëm stina e verës, por edhe ajo e vjeshtës pritet me padurim nga shumë njerëz për të bërë pushime, ndaj ka mjaft destinacione të cilat mund të kushtojnë më pak se 100 paund në ditë. Ky është artikulli i prestigjiozes britanike “Daily Mail”, e cila shkruan se një studim i ri i agjencisë britanike të udhëtimeve “Thomas Cook” tregon se 18 nga 51 destinacionet më të njohura evropiane për udhëtime të shkurtra mund të vizitohen me kosto të ulët.
Tirana renditet në vendin e parë, duke u cilësuar si destinacioni më ekonomik në Evropë, ku arkitektura unike e kryeqytetit shqiptar, atmosfera dhe peizazhet mbresëlënëse mund të shijohen me një kosto mesatare prej vetëm 51 paundësh në ditë gjatë muajit shtator.
Sipas “Daily Mail”, kjo nënkupton se një udhëtim 3-ditor në Tiranë mund të kushtojë rreth 153 paund për person, ndërsa një udhëtim i ngjashëm në Amsterdam do të kushtonte rreth 915 paund ose 305 paund për person në ditë.
Pavarësisht statusit të Shqipërisë si një destinacion turistik shumë i njohur tashmë dhe që po rritet me shpejtësi, rezervimet janë rritur me mbi 300% vitet e fundit dhe Tirana mbetet një lloj perle e fshehur për udhëtarët që dëshirojnë të eksplorojnë vende të reja me një buxhet të ulët.
E përditshmja britanike “Daily Mail” shkruan gjithashtu se çmimi mesatar i atraksioneve me pagesë është nën 4 paund dhe udhëtarët do të kënaqen gjithashtu edhe nga çmimet e arsyeshme të konsumimit të një vakti jashtë. Një porcion i bollshëm i pjatës tradicionale të Shqipërisë, tavë kosi, kushton rreth 7 paund dhe shijohet me një birrë për vetëm 1.31 paund.
Tirana mbi të gjitha ofron një gamë të gjerë mundësish të shkëlqyera akomodimi, me koston mesatare të një nate prej afërsisht 27.50 paund për person për ata që duan të bëjnë pushime në fillim të shtatorit.





