Sonda Parker e NASA-s është vetëm disa ditë larg fluturimit më të afërt me Diellin, ose përmes shtresave të tij të jashtme, në varësi të mënyrës se si e shikoni këtë manovër, në një përpjekje të guximshme për të zbuluar sekretet e yllit tonë.

Që nga nisja e saj në vitin 2018, anija kozmike e vogël, që peshon më pak se një ton, ka kryer fluturime me shpejtësi rekord. Por në prag të Krishtlindjeve, ajo do të bëjë fluturimin më të afërt me Diellin ndonjëherë.

Parker do të zhytet drejtpërdrejt në atmosferën e sipërme të Diellit dhe do të mund të mbledhë të dhëna të vlefshme për atë që po ndodh atje. “Thjesht, ne duam të gjejmë vendlindjen e erës diellore”, – tha Nicky Fox, shef i Shkencës në NASA.

Kjo zonë në të cilën do të hyjë Parker njihet si korona. Gjatë eklipseve diellore, korona duket si një aureolë drite që rrethon yllin. Pavarësisht nga madhësia e tij dhe roli si qendra e ekzistencës sonë, shumë aspekte të Diellit mbeten ende të mbuluara me mister, një prej tyre është korona.

Përkundër faktit që korona është qindra herë më e nxehtë se sipërfaqja e Diellit, duke arritur temperatura deri në 3.6 milionë gradë Fahrenheit, shkencëtarët ende nuk bien dakord për arsyen e kësaj: a nuk duhet që rajoni më afër bërthamës të jetë më i nxehtë?

Korona gjithashtu mendohet të jetë burimi i erës diellore, një rrjedhë e vazhdueshme grimcash. Pra, për të kuptuar më shumë rreth saj, sonda Parker duhet të afrohet më shumë.

Në të vërtetë, ajo ka qenë afër Diellit më parë, por kurrë nuk ka depërtuar kaq thellë. Dhe natyrisht, ekziston sfida inxhinierike e frikshme për të krijuar një sondë që është e shkathët, por mjaft e fortë për t’i mbijetuar temperaturave ekstreme dhe ndryshimeve të temperaturës, me të cilat do të përballet.