Ujëra të pastra kristal, mot i ngrohtë, nuk është çudi që ky destinacion të jetë shumë më i populluar vitin e ardhshëm, shkruan e përditshmja britanike “Express”.
Revista britanike, rekomandon Shqipërinë si destinacionin ideal për pushimet pranverore apo verore. Nëse jeni lodhur nga pushimet tuaja tipike në Spanjë, ekziston një vend që është konsideruar si një nga destinacionet më të mira dhe më të lira për t’u vizituar në 2025.
Në vendin mesdhetar, të quajtur “Maldivet e Evropës”, ju mund të pushoni në një nga plazhet piktoreske të rrethuar nga ujëra të pastra kristal.
Ekspertët e udhëtimeve e kanë renditur Shqipërinë mes destinacioneve më të mira për të vizituar në vitin 2025. Sipas tyre, Shqipëria, e vendosur në Evropën Juglindore në Gadishullin Ballkanik, padyshim ia vlen të merret në konsideratë për një arratisje verore.
Në artikull shkruhet se pjesa më e madhe e atraksioneve të Shqipërisë ndodhet në vijën bregdetare, duke përfshirë plazhet mahnitëse përgjatë Rivierës Shqiptare. Saranda është një nga qytetet kryesore bregdetare, me shumë vendpushime për të bërë banjo dielli dhe not, si dhe një bulevard që gjallërohet gjatë natës.
Përveç vijës bregdetare mahnitëse, ekspertët e udhëtimeve rekomandojnë që të vizitoni edhe sitet kryesore të Shqipërisë. Për aventurierët, rekomandohet të vizitohet shtegu i Valbonës duke ju drejtuar në vilat malore të Thethit.