Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025 në Kosovë.

Në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja thuhet se është anuluar njoftimi i KQZ-së nën arsyetimin se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat shoqëruese të KQZ-së.

Gjithashtu thuhet se me votimin që është bërë në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim. Me tej thuhet se njoftimi është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, prandaj KQZ-ja urdhërohet që ta zbatojë vendimin e PZAP-së.

“Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojë subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regjistrim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025”, – u tha në vendimin e publikuar nga PZAP-i.