Gjashtëdhjetë e pesë minuta në disavantazh nuk i kishte përjetuar kurrë me fanellën e Italisë në këtë Europian, por ky është vetëm një nga rekordet që Xhanluixhi Donaruma vendosi mbrëmjen e djeshme. Arritja tjetër është ajo e portierit të dytë më të ri që luan një finale Europiani. Me 22 vite e 136 ditë mbi shpinë, ai vendoset menjëherë pas Hoze Angel Iribarit që me Spanjën e tij në Europianin e 1964-ës ishte vetëm 21 vjeç.

Nëse në këtë rekord përfshijmë edhe Botërorët, atëherë gardiani i PSG-së zbret në vendin e tretë pasi në klasifikimin special përfshihet edhe Huan Botaso që në 1930 luajti një finale Botërori me Argjentinën. Dje, pas finales, Donaruma u zgjodh edhe “Lojtari më i mirë” i Europianit.

Çmimi iu dha nga presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Ky vlerësim është tejet i merituar për 22- vjeçarin, që me pritjet e tij, sidomos në penalltitë kundër Spanjës e Anglisë, u konfirmua një portier me forcë të madhe mendore dhe aftësi të larta teknike.

Pas marrjes së trofeut individual, Donaruma u ndal për mediat e pranishme në “Wembley”. Gëzimi ishte i dallueshëm në sytë e djaloshit nga periferitë e Napolit, i cili deklaroi: “Ishte një duel i vështirë, por u treguam spektakolarë e të mrekullueshëm. Një gol pas vetëm dy minutash mund të na kishte rrëzuar mendërisht, por ditëm të qëndronim në ndeshje dhe të arrinim synimin tonë”.

Italia e Mançinit ka treguar se di të vuajë. Ndodhi ndaj Austrisë, ndaj Spanjës, por edhe dje, me suksesin që erdhi falë forcës së një grupi që nuk ka asgjë për t’i pasur zili asnjë kombëtareje tjetër. Në këtë gjatësi vale, edhe vetë portieri italian, që deklaroi: “Ne jemi ata që nuk dorëzohemi kurrë. Nuk ishte e lehtë, por në fund arritëm atë që synonim që nga fillimi i kësaj aventure magjike”.

Tashmë me trofeun e dytë në karrierën e tij të re, ai është gati për përvojën që e pret në Francë pas largimit nga Milani. Aventurë e re dhe synime të reja, për kampionin më të ri të Europës.