Media ukrainas Strana publikoi planin e presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën, i cili përfshin, ndër të tjera, një armëpushim me Rusinë deri për Pashkë.

Ky plan i pakonfirmuar, i cili megjithatë po bën xhiron e “qarqeve politike dhe diplomatike” në Ukrainë, përfshin  një armëpushim deri më 20 prill, një ndalim për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe do të kërkonte që Kievi të pranonte sovranitetin rus mbi tokën e aneksuar.

Përveç kësaj, trupat ukrainase do të detyrohen të largohen nga rajoni Kursk i Rusisë, ndërsa një grup ushtarësh evropianë, ku mund të përfshihen trupa britanike, do të thirren për të kontrolluar një zonë të çmilitarizuar. Trupat amerikane nuk do të përfshihen në këtë.

Trump, i cili ka pretenduar prej kohësh se do të ishte në gjendje të negocionte një fund të pushtimit brutal të Ukrainës brenda një dite, thuhet se po punon për t’i dhënë fund luftës brenda 100 ditëve.

BE- ja thuhet se do të thirret për të ndihmuar Ukrainën në përpjekjet e saj të rindërtimit, të cilat mund të kushtojnë deri në 486 miliardë dollarë.

Plani thuhet se do fillojë me një telefonatë midis Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin. Ai gjithashtu përfshin një takim midis dy liderëve në fund të shkurtit deri në fillim të marsit dhe një njoftim zyrtar për një armëpushim deri më 20 prill.

Një deklaratë për arritjen e dakordësisë për përfundimin e luftës do të publikohet deri më 9 maj.