Udhëheqësit arabë miratuan njëzëri një plan 5-vjeçar për rindërtimin e Rripit të Gazës pasi lufta të ketë përfunduar, duke kundërshtuar planin e Trump për të shpopulluar territorin dhe rizhvillimin e tij si një destinacion turistik.

Plani prej 53 miliardë dollarësh, i miratuar nga liderët arabë në një samit në Kajro, do të lejonte afërsisht 2 milionë palestinezët e Gazës të mbeten në territorin e tyre.

“Ne mirëpresim çdo propozim apo ide nga komuniteti ndërkombëtar për të siguruar suksesin e këtij plani, i cili duhet të zbatohet krah për krah me një plan më të madh për paqen”, tha presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi.

Presidenti egjitptian shtoi se plani synon një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të drejtë të çështjes palestineze, i jep fund shkaqeve rrënjësore të konfliktit izraelito-palestinez, garanton sigurinë dhe stabilitetin e popujve të rajonit dhe krijon shtetin palestinez duke shprehur dëshirën e tij për të bashkëpunuar me Trump, vendet e tjera arabe dhe komunitetin ndërkombëtar.

“Plani i Egjiptit është tani një plan arab”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe Ahmed Aboul Gheit. Pa iu referuar konkretisht ideve të Presidentit Trump, ai nënvizoi se “qëndrimi arab është të refuzojë çdo zhvendosje, qoftë ajo vullnetare apo e detyruar”.

Egjipti kishte prodhuar një plan të detajuar, me një dokument prej 91 faqesh, duke përfshirë imazhe të ndërtesave në Gaza, për të kundërshtuar një skemë të SHBA-së të etiketuar si “Riviera e Lindjes së Mesme” që tronditi botën arabe dhe më gjerë.

Plani i Egjiptit i quajtur gjithashtu Plani Arab, parashikon rindërtimin e Gazës deri në vitin 2030 pa hequr popullsinë e saj. Faza e parë do të përfshinte pastrimin e më shumë se 50 milionë ton mbeturinave të mbetura nga ofensivat ushtarake të Izraelit, si dhe fillimin e pastrimit të bombave të pashpërthyera.

Ai parashikon ndërtimin e banesave dhe zonave urbane, kërkon gjithashtu hapjen e një aeroporti, një porti peshkimi dhe një porti tregtar.

Plani, të cilin Hamasi e mirëpriti, u refuzua nga Izraeli. Oren Marmorstein, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, tha se plani egjiptian “dështon në adresimin e realiteteve të situatës”, duke ripohuar mbështetjen e Izraelit për ‘planin e Trump’ për të zhvendosur popullsinë e Gazës diku tjetër.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë, në reagimin e saj fillestar, tha se mirëpriti kontributin e vendeve arabe, por këmbënguli se Hamasi nuk mund të qëndronte në pushtet në territor.

“Ndërsa Presidenti i qëndron vizionit të tij të guximshëm për Gazën e pasluftës, ai mirëpret kontributin e partnerëve tanë arabë në rajon por kjo çështje të kalojë në krizë të mëtejshme”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Brian Hughes.

Në planin e miratuar nga arabët, Hamasi do t’ia dorëzonte pushtetin një administrate të përkohshme të pavarurve politikë derisa një Autoritet Palestinez i reformuar të marrë kontrollin.

Muajin e kaluar, plani i Trump i cili u kundërshtua fuqishëm nga palestinezët, kombet arabe dhe ekspertët e të drejtave të njeriut, të cilët pretendonin se ndoshta do të ishte kundër ligjit ndërkombëtar, u miratua nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.