Në sfidën mes Vllaznisë dhe Teutës, tifozët vendës kanë qenë të pakënaqur për paraqitjen e skuadrës së tyre. Ata e kanë shprehur haptazi mosaprovimin. Ja disa nga të veçantat e takimit.
-Shkodranët nuk preferojnë stadiumin, numri i të pranishëmve nuk i kalon 1000.
-Nga tribuna e gazetarëve, preferon ta ndjekë ndeshjen Bekim Balaj, i cili nuk ishte i gatshëm për sfidën. Po ashtu, në stadium i pranishëm ka qenë edhe ish-trajneri i dy ekipeve, Edi Martini.
-Brdariç kërkon të “gjallërojë” të tijtë, të cilët e nisin sfidën me qetësi. “Shpejtësi, shpejtësi”, janë fjalët që dëgjohen nga gjermani.
-“Sot s’ka dhurata”, janë fjalë që vijnë nga tifozët e Vllaznisë, drejtuar futbollistëve kuqeblu.
-Hodo e “ka” me Llocin, trajneri i Teutës fton mesfushorin e tij të mos nxitohet dhe ruajë pozicionin.
-“O Guardiola”, janë komentet ironike që vijnë nga tribuna në drejtim të trajnerit Brdariç.
-Tifozët, aspak të kënaqur me performancën e futbollistëve të Vllaznisë. Kërkojnë më tepër nga ana e skuadrës kuqeblu.
-Tomas Brdariç nuk del nga pankina për disa minuta. Nga pankina e shkodranëve dëgjohet zëri i Osmanit, që udhëzon kuqeblutë.
-Tifozët “kërkojnë” llogari te Brdariç, në lidhje me lojën që po shfaqin shkodranët.
-Ka vërshëllima në fund, në drejtim të skuadrës së Vllaznisë, nga ana e tifozëve, të cilët ishin të zhgënjyer nga 90 minutat e zhvilluara në “Loro Boriçi”.