Prokurorët amerikanë kanë kërkuar dënimin me vdekje për Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen e Brian Thompson, CEO i UnitedHealthcare, në dhjetor të vitit të kaluar. Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi njoftoi se kishte urdhëruar prokurorët federalë të kërkonin dënim për vrasjen e paramenduar dhe gjakftohtë.
Thompson u qëllua për vdekje më 4 dhjetor jashtë një hoteli në Nju Jork. Mangione, 26 vjeç, u arrestua pas një gjueti mbarëkombëtare javë më vonë në Pensilvani. Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat shtetërore dhe nuk është deklaruar ende për akuza federale. Ai është në pritje të gjykimit në një burg federal të Nju Jorkut.
Prokurorja Bondi e quajti vrasjen një akt dhune politike, duke theksuar se mund të kishte paraqitur një rrezik të madh për ata që ndodheshin afër. Hetuesit thanë se Mangione kishte motive të forta për të vrarë Thompson, duke u zemëruar me kompanitë amerikane të sigurimeve të kujdesit shëndetësor. Ai përballet me 11 akuza penale shtetërore në Nju Jork, përfshirë vrasjen e shkallës së parë dhe vrasjen si akt terrorizmi.
Nëse shpallet fajtor, Mangione mund të përballet me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht. Akuza federale përfshin përdorimin e armës për vrasje dhe përndjekje ndërshtetërore që çoi në vdekje, duke i hapur mundësinë e dënimit me vdekje. Çështjet federale dhe shtetërore do të trajtohen paralelisht.