“Flokët janë gjysma e bukurisë”, është thënia që shpesh dëgjojmë të thuhet. Por, të gjithë meshkujt qerosë do dëshironin që kjo shprehje më mirë të mos ekzistonte. Meshkujt janë më të prirur se sa femrat, që të vuajnë nga rënia e flokëve.

Prandaj për ta çdo fije floku që bie është një makth më vete. Megjithatë ka shpresë! Ekspertët tashmë janë më afër një trajtimi që mund të ndihmojë meshkujt që të qëndrojnë më gjatë me flokët e tyre, madje shkencëtarët shpresojnë se mund të kenë gjetur mënyrën për parandalimin e alopecisë.

Shkencëtarët kanë gjetur një lloj proteine të quajtur “MCL-1”, e cila luan një rol kyç në rritjen e flokëve dhe mbrojtjen e folikulave. Sipas një eksperimenti të kryer tek minjtë, shkencëtarët zbuluan që në momentin që kjo proteinë bllokohej, minjtë humbisnin më shumë qime gjatë 90 ditëve eksperiment.

Folikulat e flokëve, pasi zhvillohen, kalojnë nëpër cikle të rregullta të përgjumjes dhe rritjes. Rreth 70-90 për qind e qimeve të kokës qëndrojnë në fazën e rritjes, por disa kushte mund ta prishin këtë, duke çuar në rënien e flokëve.

Proteina “MLC-1” luan një rol kyç në fazën e rritjes së flokëve dhe është po aq e rëndësishme s i takon rigjenerimit të flokut dhe qetësimit të skalpit dhe rrënjës së flokut.

Rënia e flokëve prek rreth 85% të meshkujve në mbarë globin, kryesisht kur ata arrijnë moshën e mesme. Edhe pse në një përqindje më të vogël, ka raste që rënia e flokëve tek meshkujt ndodh në një moshë më të hershme. Ekspertët për këtë fundit mendojnë se kjo është më tepër e trashëguar.

Stresi i individit ndikon direkt tek flokët, thonjtë apo lëkura, kështu që një individ i stresuar ka sasi shumë herë më të ulët të proteinës që ndihmon në rritjen e flokut dhe parandalon rënien e tij. Prandaj në të tilla raste ekspertët këshillojnë që të tregohet kujdes më i shtuar në menaxhimin e stresit dhe rritjes së nivelit të proteinës “MLC-1” .