Teuta doli me një pikë të rëndësishme nga transferta e Shkodrës në takimin e fundit në kampionat, teksa barazoi 0- 0 ndaj Vllaznisë të dielën. Vasil Zhongo ishte një nga më të mirët në fushën për durrsakët në këtë takim, teksa u vlerësua edhe me çmimin e lojtarit të ndeshjes. Mbrojtësi i bregdetarëve u shpreh i lumtur për paraqitjen e mirë, por thotë se ndjen zhgënjim që skuadra nuk mori 3 pikët. Zhongo flet gjithashtu për ndeshjen me Dinamon dhe shpreson te rezultati pozitiv për “Djemtë e Detit”.
Zhongo, riktheheni në fushë pasi dy muajsh dhe shpalleni lojtari i ndeshjes. Cili është komenti juaj?
Jam i lumtur për trofeun personal, por më i lumtur që u riktheva dhe që luajta të dielën. Më vjen keq vetëm që nuk morëm 3 pikët. Mundohem të punoj çdo ditë për të përmirësuar defektet që kam dhe shpresoj që rritja ime të vazhdoj në mënyrën më të mirë.
Ndeshja e radhës me Dinamon. Si e parashikoni këtë duel?
Dinamon e njohim dhe do ta analizojmë lojën që bën, por do të nxjerrim dhe gabimet tona. Dimë mirë pikat e tyre të forta. Ata kanë në përbërje lojtarë me eksperiencë. Por, ne synojmë ta fitojmë këtë takim. Do të futemi për të fituar, por sa do t’ia dalim, kjo mbetet për t’u parë në fushën e lojës. Aty do të shihet, cili është ekipi më i mirë.
Mendoni se kjo ndeshje është pika e kthesës në një sezon me shumë ulje-ngritje?
Shpresoj që të rikthehemi tek entuziazmi, të cilin jo se nuk e kemi pasur, por kur nuk fiton, të prishet humori. E rëndësishme është të fitojmë kundër Dinamos, sepse është ekip i fortë dhe është nevoja të çlirohemi psikologjikisht. Kemi bërë ndeshje të mira, por na mungojnë pikët. Kjo mund të jetë pika e kthesës.
Teuta po vuan për gola, çfarë ndikon?
Gol do ishte mirë të shënoja çdo javë, jo vetëm ndaj Dinamos. Pavarësisht dëshirës për të shënuar, ka pak rëndësi nëse realizoj ose jo. I rëndësishëm është rezultati pozitiv ndaj Dinamos. Unë mendoj që çështja e golit do zgjidhet, thjesht është momenti “jo”. Pra, nuk besoj se ka arsye tjetër.
Si është situata teknike në ekip dhe çfarë mendimi keni për elementët që ka Teuta?
Kemi një skuadër të re që jep garanci për vazhdimësinë. Me një punë të mirë e të vazhdueshme, niveli i lojtarëve rritet. Sa u përket të dhënave teknike, ka vend për përmirësim. Dua të shtoj se një kampionat i fortë, sjell edhe një Teutë të fortë. Me një ndeshje s’mund të pretendojmë se kemi kapur majat. Po përpiqemi të bëjmë maksimumin.
Mund të ndikojë fati në të tilla përballje?
Fati ndikon kur ndeshja shkon deri në sekondën e fundit, por futbolli është një sport ku bën diferencë kualiteti. Ekipi më i përgatitur, me lojtarët më cilësorë, fiton. Në të tilla ndeshje, jemi ne lojtarët faktori kryesor në fushë.