Një rritje e papritur e çmimit të biletës në hyrje të Akropolit i ka befasuar turistët që ndodheshin në Athinë prej 1 prillit. Nga 20 euro, bileta për të parë simbolin historik të Greqisë tani kushton 30 euro – një njoftim që, të paktën për ditët e para, u bë me një tabelë të shkruar me dorë.

Vendimi nuk është i ri. Ministria greke e Kulturës e miratoi që në dhjetor 2023 si pjesë e një politike të re që bazohet në rritjen e ndjeshme të numrit të vizitorëve në monumente arkeologjike dhe muze, si dhe për të afruar çmimet me mesataren evropiane.

Sipas klasifikimit të ri, zonat dhe muzetë arkeologjike ndahen në pesë kategori, ku Akropoli renditet në të parën – me çmimin më të lartë. Monumente të tjera si Tempulli i Zeusit Olimpik apo Muzeu Arkeologjik i Delfit kanë tani bileta me çmim 20 euro.

Reagimet e turistëve janë të ndryshme. Disa e krahasojnë me çmimet e vendeve të tjera ikonike si Vatikani apo San Marko në Venecia dhe mendojnë se 30 euro është shumë. Të tjerë thonë se një vend si Akropoli, që pret mijëra vizitorë çdo ditë, ka nevojë për mirëmbajtje, ndaj çmimi justifikohet.

“E kemi të domosdoshme ta shohim Akropolin, pavarësisht çmimit,” – thonë shumica. Ndërsa disa prisnin një rritje më të moderuar, rreth 10-15%, jo menjëherë 50%.