Zgjedhja e emrit për fëmijën në Itali po kthehet nga një akt personal dhe emocional, në një proces të ndërlikuar ligjor. Prindërit që zgjedhin emra “të papërshtatshëm” rrezikojnë jo vetëm refuzimin e regjistrimit, por edhe një gjobë deri në 1032 euro për korrigjimin e dokumenteve.
Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni po ashpërson gjithnjë e më shumë rregullat për emrat e fëmijëve të sapolindur. Ligji nuk është i ri, por aplikimi i tij është bërë më strikt muajt e fundit.
Ndalohet që fëmijëve t’u vendosen emra që nuk përputhen me gjininë biologjike, që janë ofendues, qesharakë, të frymëzuar nga figura negative si “Hitler” apo “Lucifer”, ose që përkojnë me mbiemra apo emra të anëtarëve të tjerë të familjes. Gjithashtu ndalohet përdorimi i më shumë se tre emrave, shkronjave të huaja apo simboleve të veçanta.
Zyrat e gjendjes civile kanë të drejtë të refuzojnë regjistrimin dhe ta përcjellin çështjen tek Prokurori Publik, i cili mund të kërkojë ndryshimin e emrit me vendim gjykate. Ndërkohë, disa prefektura po krijojnë lista të brendshme me emra të ndaluar, që përdoren si standard për të refuzuar regjistrimet.
Në rastet kur prindërit nuk pranojnë të ndryshojnë emrin, jo vetëm që procesi vonohet, por u kërkohet të paguajnë një shumë të konsiderueshme si kontribut për ndryshimin e dokumentacionit.
Shumë italianë po e shohin këtë si një ndërhyrje të tepruar të shtetit në jetën private, duke hapur debate të ashpra mes mbrojtjes së fëmijëve dhe kufizimit të lirive individuale.