Përtypja e çamçakëzit, një zakon i përhapur mes të rinjve dhe të moshuarve, mund të sjellë përfitime të shumta për shëndetin.
Sipas specialistëve, një nga përfitimet kryesore lidhet me shëndetin oral. Çamçakëzi pa sheqer, veçanërisht ai me xylitol, ndihmon në prodhimin e pështymës që neutralizon acidet, pastron gojën dhe redukton rrezikun për prishje të dhëmbëve.
Ai gjithashtu ndihmon në tretje duke stimuluar enzimën tretëse dhe përgatit trupin për përpunimin e ushqimit. Përtypja e çamçakëzit është treguar gjithashtu efektive në uljen e stresit, përmirësimin e përqendrimit dhe kujtesës, për shkak të rritjes së qarkullimit të gjakut në tru.
Një tjetër efekt pozitiv është ndihma që ofron në menaxhimin e oreksit, duke reduktuar dëshirën për ushqim dhe duke kontribuar lehtësisht në procesin e kontrollit të peshës.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se çamçakëzi nuk mund të zëvendësojë një higjienë të mirë orale dhe një mënyrë jetese të shëndetshme.