Gjermania ka rritur alarmin ndaj kërcënimeve të mundshme nga Rusia, duke paralajmëruar për një rritje të sulmeve hibride dhe përpjekje për destabilizim në Evropë. Sipas mediave gjermane, Berlini beson se presidenti rus Vladimir Putin do të përpiqet të “testojë” qëndrueshmërinë e NATO-s dhe gatishmërinë për të zbatuar Nenin 5 të mbrojtjes kolektive.
Diplomatë të aleancës në Bruksel theksojnë se nuk është ende e qartë nëse këto veprime do të ndodhin në fushën kibernetike, ushtarake apo përmes dezinformimit. Gjenerali gjerman Alexander Sollfrank paralajmëroi për rrezikun e sulmeve hibride, përfshirë spiunazh dhe sabotim.
Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të NATO-s diskutuan në Bruksel për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe adresimin e kërcënimit rus. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se ofertat e Putinit për negociata në Ukrainë janë vetëm premtime boshe.