Pak para nisjes së vitit shkollor, për të cilin ende ka pikëpyetje nëse do të zhvillohet tërësisht në klasë apo i kombinuar me mësimin online, 7 shkolla të Durrësit nuk kanë drejtor.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Zyra Vendore Arsimore Durres njofton shpalljen e konkursit për drejtor shkolle në 7 institucione arsimore 9-vjeçare dhe të mesme në qytetin bregdetar dhe njësitë administrative.

Bëhet fjalë për shkollat “Bajram Curri”, “Myslim Hida”, “Dom Nikoll Kaçorri”, “Olsi Lasko (part-time)”, “Pren Simoni”, “Rexhep Mezini” dhe “Bajram Gashi”. Kandidatët e interesuar kanë afat deri më 7 shtator të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar. 

Nuk dihen arsyet e ndryshimit të 11 drejtorë shkollash në Durrës, pasi më herët (5 gusht) u njoftua shpallja e konkursit për 4 shkolla të tjera “Jusuf Puka”, “Nënë Tereza”, “Naim Frashëri” dhe “Benardina Qerraxhia”.

Zëvendësimi i titullarëve të shumë shkollave, vjen në një kohë, kur shumë institucione arsimore në bashkinë Durrës janë në proces rindërtimi dhe rikonstruksioni prej dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Nga programi i Rindërtimit, përfitojnë 27 institucione arsimore në Durrës.

“Janë gjithsej 27 shkolla, kopshte dhe çerdhe që do të rindërtohen apo rikonstruktohen gjatë këtyre muajve në bashkinë e Durrësit. Krahas rindërtimit dhe rikonstruksionit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe UNDP-ja do të realizojnë edhe pajisjen me bazë materiale. Nga procesi i Rindërtimit pritet të përfitojnë 12.201 nxënës shkolle dhe 917 fëmijë që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet.”,- patën deklaruar për DurrësLajm në muajin korrik burime zyrtare nga bashkia.

Një ditë më parë, ministrja e arsimit, Besa Shahini, njoftoi se dikasteri i saj është duke punuar me disa skenarë, sidomos për zonat e prekura nga tërmeti me magnitudë 6.4 Rihter.

“Skenarët janë të ndryshëm, ka shkolla që mund të vijojnë normalisht ku mund të ruhet distancimi, ku ka pak nxënës, ka shkolla që punojnë me një turn, por do i ndajmë me grupe të vogla, ka shkolla të tjera në zonat e tërmetit që ka numër të madh që duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne ose duke i çuar në shkollat më të afërta”,– tha Shahini.

M.B.