Referuar të dhënave zyrtare të KQZ-së, lidhur me ecurinë e procesit të numërimit në qarkun Durrës, rezulton se deri më tani, kur janë numëruar 171 kuti nga 493 në total, forcë e tretë politike renditet partia Mundësia.
Kjo parti ka mbledhur 1209 vota dhe menjëherë pas saj me një diferencë të ngushtë renditet koalicioni Nisma – Shqipëria Bëhet me 1154 vota.
Nuk dihet ende nëse partia e drejtuar nga Agron Shehaj do të arrijë të pozicionohet deri në përfundim të numërimit si subjekti i tretë politik në bazë qarku, pavarësisht se nga votat e marra nuk do të mund të sigurojë një mandat deputeti.
14 mandatet që prodhon qarku Durrës do të ndahen mes PS dhe PD-ASHM, dhe deri më tani mendohet se do të përsëritet rezultati i 4 viteve më parë, kur PS mori 8 mandate dhe PD 6 të tilla.
Partia Socialiste kishte synim në këto zgjedhje të merrte 9 mandate në qarkun e Durrësit duke e lënë PD me vetëm 5 të tillë.
Nëse ky parashikim do të vërtetohet në përfundim të procesit të numërimit, PD do të çojë në Kuvend vetëm emrat që ndodhen në listën e mbyllur dhe asnjë nga kandidatët që u përfshinë në listën e hapur të koalicionit PD-ASHM.





