Nga Astrit TAHIRI

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare Ramazan Beja, ose Xhoda, siç e njohin të gjithë, mësuesi, piktori, politikani e shkrimtari durrsak.

Xhod Beja ka lindur në Durrës më 7 janar 1934. Era dhe freskia e detit, dashuria për qytetin, miqësia me shokët e vendlindjes, krijuan profilin e sportistit,  profesorit, artistit e politikanit, Xhod Beja.

Profili i tij shumëplanësh e bëri atë një nga njerëzit më të njohur, më të diskutuar e më popullor në qytetin bregdetar.

Ai lindi në familjen e njohur  tregtare “Beja” nga prindërit e nderuar, Sulejman Beja e Qamile Mancaku.

Xhoda i vogël mori mësimet e para në shkollën fillore nr 1, ndërsa ne vitin 1946 ai regjistrohet ne shkollën unike “29 Nëntori”.

I etur për të mësuar, tre vite më vonë, Xhoda tashmë i ri, futet në vitin e parë të gjimnazit “16 Shtatori”.

Fare i ri aktivizohet në rrethin e piktorëve dhe në sportin e basketbollit, fillimisht në veprimtari lokale e më pas në ato kombëtare.

Në vitet e para të pasluftës ekipet kombëtare të sporteve formoheshin me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave dhe në janarin e vitit 1953, ndër sportet e tjera, formohet edhe ekipi kombëtar i basketbollit.

Falë talentit dhe përgatitjes si sportist, ai futet në listën e ekipit kombëtar, si lojtar i formacionit bazë.

Në tre vite rresht, Xhod Beja do të kontribuonte në pesëshen më të mirë të basketbollit shqiptar.

Nevojat ekonomike që herët, e detyruan Xhodën të hynte në punë e t’i bëhet krah familjes së tij, që asokohe ish rrënuar ekonomikisht nga tatimet e jashtëzakonshme, të pushtetit komunist.

Siç ishte, i shkathët e duarartë, me intuitë e inteligjent, fillimisht punoi si radioteknik në ndërmarrjen e riparim shërbimeve të Durrësit.

Me përfundimin e studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik punoi si mësues i elektroteknikës në shkollat 8-vjeçare të qytetit.

Më pas, për 23 vite rresht, Xhoda do t’u mësonte brezave vizatimin teknik, në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti”, që nga viti 1967 e deri në vitin 1990, kur mbushi moshën e pensionit si mësues.

Në vitin 1975, Xhod Beja me ngulm, edhe pse i kish kaluar të dyzetat, përfundon studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën Inxhinieri Mekanike.

Profili i tij arsimor plotësohet maksimalisht.

Në vitin 1972, Xhoda njihet e martohet me kolegen e tij të shkollës, Lume Borshin, mësuese e edukimit fizik dhe gjyqtare ndërkombëtare e gjimnastikës.

Me Lumen atij i vijnë në jetë dy vajza, Mirela dhe Arjola.

Xhoda bëhet kështu babai më i lumtur.

Atyre ai ia kushtoi gjithë jetën, punën e sakrificat.

Dëshira e tij ishte që ato të rriteshin me shëndet të plotë, të arsimoheshin e të bëheshin dikushi në jetë.

Me sakrifica ekonomike i dërgoi vajzat e tij me studime në Angli.

Ato tashmë kanë gjetur rrugën e jetës.

Mirela e Arjola janë intelektuale të zonja, që kanë marrë përsipër detyra të rëndësishmë e me përgjegjësi.

Ato  e bënë Xhodën gjysh me dy nipër e një mbesë.

Vitet e kthesës

Vitet 90-të, si për gjithë popullin shqiptar, ishin edhe për Xhodën, vitet e kthesës së madhe, drejt demokracisë.

Ai mbajti një peshë kryesore në Partinë Demokratike të rrethit të Durrësit, si sekretar organizativ i komisionit nismëtar, që nga janari i vitit 1991.

Xhoda edhe pse i kish kaluar të 60-tat ishte plot energji për punë. Ai u bë administrator i agjensisë detare “Genti” deri në vitin 1996, duke mos iu ndarë për asnjë çast detit dhe qytetit të tij të lindjes.

Për shumë vite, letërsia ka qenë e preferuar për Xhodën, por krijimtaria letrare nuk ka qenë hobi i tij. Tetë dekada të jetës dhe përvojës së tij nuk ishin pak dhe pa interes për të tjerët.

Ndaj,  si rrallë kush, fillon të hedhë në letër kujtimet e tij të jetës, fëmijërinë, shkollimin, rininë, artin, sportin.

I nis botimet e tij në vitin 2009 me një broshurë “Familjet Beja e krushqitë”.

Më pas boton kujtimet e tij në librin “Pak dritë në Durrës”, i cili ndiqet nga libra të tjerë me kujtime e refleksione  si “Ulqinakët e Durrësi”, “Durrësi dhe italianët”, vëllimi për “Ndroqin dhe Erzenin”, vendlindjen e paraardhësve të tij, e librin “Dy gjimnazet”, ku ua kushtoi jetën edukimit të brezave.

Piktura, leximi i librave, sistemimi i kujtimeve, ia mbushnin kohën. Xhoda kish një dashuri të pashtershme për qytetin e tij, Durrësin. Atij ia kushtoi punën, talentin, artin e të shkruarit, të gjitha kujtimet e tij.

Edhe pse jashtë profilit të tij, të shkruarit i dha kënaqësi, Durrësit i dha kujtesën që i mungonte. Të shkruarit për Xhodën qenë një mision për brezat që ikën dhe për ata që vijnë më pas.

I thjeshtë, komunikues, me një kujtesë që shkëlqente i bëri nder vetes, familjes, farefisit, miqve e shokëve.

Largimi i tij nga jeta krijon boshllëk të madh, jo vetëm tek familja, por edhe tek i gjithë qyteti, të cilit iu përkushtua e i dhuroi shumë, me aktivitetin e kujtimet e tij.