Drejtues Agron Çeli, zv.drejtor i Policimit në Komunitet në DVP Durrës ka inspektuar në zonën bregdetare masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Në një deklaratë për mediat, Çeli paralajmëroi se do të vijojnë kontrollet në terren për zbatimin e aktit normative që ndalon muzikën në lokale pas orës 20:00 dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj subjekteve që kapen në shkelje.

“Jemi në zonën e plazhit në Durrës, ku shërbimet e DVP Durrës po zbatojnë kontrollet në të gjitha lokalet për zbatimin e aktit normativ numër 30, datë 20/07/2020, por edhe të akteve të tjera. Konkretisht kërkohet zbatimi i këtij akti për moslejimin e ushtrimit të aktiviteti në ambjente të brendshme për lokalet dhe restorantet, për moslejmin dhe mosfunksioninim e lokaleve të natës si dhe të diskove dhe ndalimin e muzikës në këto subjekte pas orës 20:00. Shërbimet vazhdojnë kontrollet dhe nuk bëjmë selektime, nuk ka diferenca, nuk ka interesa dhe toleranca është zero për të gjitha subjektet.”, tha ai.

Zv.drejtorit Çeli bëri me dije se gjatë inspektimeve në 24 orët e fundit janë vendosur 10 masa administrative ndaj bizneseve të cilat nuk kanë zbatuar protokollin anticovid dhe aktet normative.

“Së bashku me ISHSH dhe instanca të tjera, kemi organizuar kontrolle të përbashkëta. Janë vendosur 10 masa administrative të cilat janë mbi prishjen e qetësisë publike, organizimin e ceremonive martesore, për shkaktimin e zhurmave dhe masa të tjera administrative. Shtrirja e kontrolleve është në të gjithë qarkun Durrës, jo vetëm në zonën e plazhit, por edhe në zonat brenda qytetit dhe në rrethet si Krujë edhe Shijak.”

Duke theksuar se forcat policore do të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre me korrektësi, Çeli ju bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të bizneseve në qytetin bregdetar të zbatojnë masat dhe protokollet anticovid.

“Deri tani duam të falenderojmë subjektet të cilat na kanë mirëkuptuar edhe pse kanë vështirësitë e tyre. Në vazhdim do të kryejmë shërmbimin me korrektësi dhe kërkojmë nga të gjithë të zbatojnë masat dhe protokollet e sigurisë me qëllim që të garantojmë sigurinë tonë dhe të qytetarëve duke garantuar jetën e të gjithëve.”

G.D.