Prokuroria e Përgjithshme në Ankara ka nisur një hetim të ri penal ndaj kryetarit të partisë kryesore të opozitës në Turqi, Özgür Özel, për fyerje ndaj presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe një sërë veprash të tjera penale, raportojnë mediat turke.

Bëhet fjalë për hetimin e dytë ndaj një figure të lartë të Partisë Popullore Republikane (CHP), pas arrestimit në mars të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, nën akuzën për përfshirje në një çështje korrupsioni.

Sipas deklaratës së prokurorisë, “deklaratat e përdorura nga kryetari i CHP-së, Özgür Özel, gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së komitetit ekzekutiv të partisë më 5 korrik, përbëjnë vepra penale, përfshirë fyerjen e presidentit, nxitjen për kryerjen e veprave penale si dhe fyerje dhe kërcënime ndaj zyrtarëve publikë”.

Nuk është bërë ende publike se cilat deklarata të sakta kanë shkaktuar nisjen e hetimit. Megjithatë, Özel ka dënuar arrestimin e tre kryebashkiakëve dhe një nënkryetari bashkie, të zgjedhur nga partia e tij, duke thënë:

“Çdokush do të mbajë vendin e tij në histori: disa në anën e mbrojtësve të kutive të votimit, të tjerët në anën e atyre që përkulen para frikërave të presidentit Erdogan. I mohoni popullit të drejtën e votës, u merrni kryebashkiakët që vetë i kanë zgjedhur, e tani po çoni edhe presidentin e tyre të ardhshëm në burg”, tha Özel, duke aluduar për Ekrem Imamoglun, rivalin kryesor të Erdoganit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Kujtojmë se në nëntor të vitit të kaluar, vetë presidenti Erdogan ka paditur Özel për “fyerje publike ndaj presidentit” dhe “shkelje të nderit të institucionit presidencial”.

Një tjetër padi e ngritur në shkurt të këtij viti, vë në pikëpyetje legjitimitetin e Özel si kryetar i CHP-së, për shkak të akuzave për blerje votash gjatë kongresit të partisë në nëntor, ku ai u zgjodh.

Për më tepër, muajin e kaluar, prokuroria hapi një tjetër hetim për fyerje ndaj Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit dhe për “kërcënime ndaj drejtësisë” gjatë një proteste.

Sipas mediave turke, autoritetet po shqyrtojnë edhe heqjen e imunitetit parlamentar të Özel në kuadër të një çështjeje të veçantë për “fyerje ndaj një zyrtari publik”, një hap që, nëse ndërmerret, mund të çojë në arrestimin e tij.