Dita e sotme ishte tragjike përsa i përket bilancit të viktimave nga Covid-19 në vendin tonë. Për herë të parë në këto muaj pandemie u regjistrua një rekord negativ me 5 viktima, dy prej të cilëve dy 45-vjeçarë, pa sëmundje bashkëshoqëruese.
Përveç farmacistes Xhire Citozi, betejën me Covid-19 e humbi edhe biznesmeni Ladi Pasmaciu.
45-vjeçari nga Tirana u nda në mënyrë të papritur nga jeta, pasi luftonte prej disa ditësh me koronavirusin në spital. Humbja e tij e parakohshme bëhet edhe më e rëndë për familjarët, pasi rreth 5 javë më parë ai kishte humbur edhe babanë e tij.
Mjaft i ndjerë është postimi në rrjete sociale i njërit prej djemve të tij, që shpreh gjithë dhimbjen për ndarjen e të atit nga jeta.
“Zoti i don prane vetee njerzit e mire! Po pse kaq shpejt Qofsh i xhenetit babi Ladi Pasmaciu”,– shkruan djali i tij, përkrah një fotoje të shkëputur nga ditëlindja e tij.
Ndërkohë, ish-drejtoresha e Burimeve Njerëzore në bashkinë e Durrësit, Drita Rubjeka, ndërsa shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të mikut të familjes, vlerëson punën e palodhur të tij në fabrikën e vajit të ullirit, që biznesmeni 45-vjeçar e kishte ngritur prej vitesh në Ndroq.
“Sot, më përpiu dhimbja për ikjen e njeriut të mirë Ladi Pasmaciu
pas ditesh ne lufte me Covid19. Prej shumë vitesh, familja ime e vogel dhe e madhe ka konsumuar si vlere ushqimore bio, vetem vaj ulliri te prodhuar me perpikmeri dhe ndershmeri nga fabrika “Tre Miqtë”, ne Ndroq nga Ladi i mire. Kam njohur familjen e tij te mrekullueshme, bashkeshorten dhe dy djemte. Heren e fundit qe u takuam ishte para me pak se 40 dite kur Ladi humbi babain e tij, xha Shabanin. Ladi Pasmaciu, nuk mund ta besoj sepse nuk dua ta besoj mik! Të qofte dheu i lehte, paç parajsen dhe paç dritë! Me shume dhimbje sot!”,- shkruan Rubjeka në rrjete sociale.
Profili në rrjete sociale i biznesmenit të ndjerë është mbushur plot me mesazhe ngushëlluese për familjen e të ndjerit, bashkëshorten dhe dy djemtë, ndërsa shprehin hidhërimin e thellë për humbjen e 45-vjeçarit Ladi Pasmaciu.





