Nju Jorku po sjell një risi të jashtëzakonshme urbane, një pishinë publike lundruese në lumin East River, me pamje panoramike nga Manhattan.
Projekti quhet +Pool dhe synon të bëjë të mundur larjen në lumin e famshëm amerikan, për herë të parë, falë një sistemi të avancuar filtrimi që pastron ujin pa përdorimin e klorit apo kimikateve të tjera.
Pishina pritet të hapet në verën e vitit 2026, raporton La Repubblica dhe do të jetë plotësisht falas për qytetarët dhe turistët, duke ofruar një alternativë të shëndetshme, ekologjike dhe inovative për të shijuar verën në qytetin që nuk fle kurrë.
Ideja e kësaj pishine ka lindur 15 vite më parë nga tre të rinj – Dong-Ping Wong, Archie Lee Coates IV dhe Jeff Franklin, të cilët dëshironin të risillnin në vëmendje konceptin e “pishinave lundruese” që ekzistonin në fillim të shekullit të kaluar, por me teknologjinë më të avancuar të ditëve të sotme. Projekti është përshkruar nga krijuesit si një “simbol i qytetarisë së qëndrueshme, përfshirjes sociale dhe lidhjes së re me natyrën”.
Pas disa prototipeve të suksesshme, një prej të cilëve u vlerësua nga revista Time si një nga shpikjet më të mira të vitit 2013, qyteti i New York-ut miratoi në vitin 2021 ndërtimin në zonën e Pier 35, në Lower East Side, mes urës Manhattan dhe asaj të Brooklyn-it. Aty do të instalohet struktura kryq-forme, e lidhur me bregun përmes dy urave të vogla për këmbësorë.
Guvernatorja e shtetit Kathy Hochul dhe kryebashkiaku Eric Adams kanë njoftuar një financim prej 16 milionë dollarësh, në kuadër të një programi që synon të përmirësojë qasjen e banorëve të çdo lagjeje në hapësira publike pranë ujit.
Ndërkohë, në qershor të këtij viti, në një kantier në shtetin e Misisipit, është përfunduar ndërtimi i një platforme të madhe prej rreth 190 metrash katrorë, e pajisur me sistem filtrimi dhe strukturë pishine. Kjo njësi do të transportohet me anije përgjatë bregut lindor të SHBA-ve dhe do të mbërrijë në New York brenda tre javëve.
Pas instalimit që do të përfundojë deri në fund të vitit, do të kryhen testet finale përpara se qytetarët të mund të hyjnë në ujë verën e ardhshme.





