Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, doli ditën e sotme në gjyq, ku trupa e gjyqtareve vendosi që Veliaj të vijojë të qëndrojë në paraburgim.
Për fatin e Veliajt vendosi trupa gjykuese e përbërë nga Medi Bici dhe Sokol Binaj, ndërsa relatore e çështjes ishte caktuar me heret Albana Boksi.
Kërkesa të ngjashme kanë bërë deri më tani të gjithë të arrestuarit me urdhër të SPAK, por vetëm rasti i Malltezit, ka fituar lirinë.
I pari ishte Berisha që u la për shkak të moshës në “arrest shtëpie”, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u vendos në qeli. Por brenda pak kohësh fitoi lirinë dhe u la gjithashtu në arrest shtëpie, derisa dje u caktua që mund të dalë nga banesa në këmbim të garancisë pasurore.
Megjithatë edhe rasti i tyre është ndryshe, pasi për dosjen “Partizani”, SPAK i ka mbyllur hetimet dhe çështja është pranuar për gjykim në Gjykatën e Posaçme.
Ndërsa si Veliaj, edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta janë ende duke u hetuar. Por ndryshe nga të hetuarit e tjerë, Veliaj mund të humbasë shumë, mund të humbasë detyrën e tij në krye të Bashkisë së Tiranës.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 shkurt të këtij viti. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në paraburgim me kërkesë të SPAK, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale.
SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash ‘OJF’. Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni.





