Macet flenë kryesisht në anën e majtë sepse në këtë mënyrë truri i tyre përpunon më efektivisht rrezikun, në këtë përfundim ka arritur një grup shkencëtarësh nga universitete ndërkombëtare, duke dhënë një përgjigje për një, pyetje të përjetshme të dashamirëve të maceve.

Ekspertët shpjegojnë se bëhet fjalë për një mekanizëm mbijetese të felinëve, i cili u lejon atyre të gjuajnë ose të shpëtojnë nga rreziku shpejt sapo zgjohen.

Për qëllimet e studimit, i cili u publikua në revistën shkencore Current Biology dhe u realizua nga specialistë të universiteteve Bari Aldo Moro, Ruhr University Bochum, dhe Fakultetit të Mjekësisë në Hamburg, me kontributin e studiuesve nga Gjermania, Kanadaja, Zvicra dhe Turqia, u analizuan një për një qindra video në YouTube me protagonistë mace.

Gjumi është një periudhë e ndjeshmërisë së lartë për të gjitha kafshët, dhe macet flenë nga 12 deri në 16 orë, zakonisht në vende të ngritura për të qenë më pak të rrezikuara.

Studiuesit analizuan 408 video publike në YouTube, që tregonin mace duke fjetur për të paktën 10 sekonda.

Ata zgjodhën vetëm video me pamje të vazhdueshme, jo të ndërprera apo të redaktuara, në mënyrë që të jenë të sigurt për sjelljen e kafshëve.

Analiza e tyre çoi në përfundimin se 2/3 e maceve flinin në anën e majtë. Sipas tyre, macet zgjedhin kryesisht këtë anë sepse, sapo zgjohen, shohin me fushën e majtë të shikimit, e cila përpunohet nga hemisfera e djathtë e trurit.

Ata shpjegojnë gjithashtu se hemisfera e djathtë e trurit është ajo që është e ‘specializuar’ për perceptimin e hapësirës, përpunimin e kërcënimeve dhe koordinimin e lëvizjeve të shpejta për t’u larguar.