Ndarja nga jeta e farmacistes Xhire Çitozi, e cila humbi betejën me Covid-19 i ka tronditur familjarët dhe të njohurit e saj, miqtë e kolegët. Në rrjete sociale ka plot mesazhe ngushëllimi për farmacisten e përkushtuar, nënë e tre fëmijëve, e cila u nda nga jeta në moshën 45-vjeçare, në Spitalin Infektiv. E lindur në vitin 1975 në Krujë, prej shumë vitesh farmacistja Citozi jetonte në Durrës ku dhe ishte martuar, ndërsa profesionin e saj e ushtronte në qytetin e Fushë-Krujës.

Farmacistja Eva Lekli, kolege e së ndjerës Xhire Citozi shprehet me fjalët më të mira për 45-vjeçaren që ishte një nënë e përkushtuar dhe e palodhur dhe një profesioniste e vërtetë.

“E njoh Xhiren prej kohësh, kemi pasur fëmijët në të njëjtën shkollë. Ishte një nënë dhe bashkëshorte mjaft e përkushtuar. Ikte në mëngjes në punë dhe kthehej vonë në shtëpi, pasi çdo ditë udhëtonte drejt Fushë-Krujës për tek farmacia që kishte atje. Kur dëgjova sot në mëngjes për ndarjen nga jeta të një farmacisteje në Fushë-Krujë mora Xhiren në telefon për të mësuar më shumë. Kur telefoni i saj më doli i fikur, pata një parandjenjë të keqe. Më vonë, me trishtim të madh mësova se bëhej fjalë pikërisht për të. Nuk kam fjalë, ishte tronditëse të mësoje për vdekjen e Xhires”,– thotë farmacistja Lekli për DurrësLajm.

E pikëlluar në maksimum për ndarjen nga jeta të koleges së saj, farmacistja Lekli u bën apel të gjithëve që ta marrin seriozisht sëmundjen, sepse ky virus nuk fal.

“Kam mësuar se edhe motra e Xhires (farmaciste edhe ajo) është në intubim. Uroj me gjithë zemër që ta mundë sëmundjen, por kam një apel për të gjithë. Duhet të tregohemi jashtëzakonisht të kujdesshëm. Nuk mund të merret me shaka Covid-19, sepse po merr jetë. Xhirja nuk vuante nga asnjë sëmundje, por prapë se prapë nuk ia doli. Prandaj të mos neglizhojmë në masat parandaluese që duhet të zbatojmë”,- thotë farmacistja durrsake.

Xhire Citozi e humbi betejën me koronavirusin një natë më parë.  Ndërkohë që sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e ndjera nuk vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Për ndarjen nga jeta të farmacistes Citozi reagoi edhe Urdhri i Farmacistëve. 

“Ndarja nga jeta e koleges sonë është një humbje e madhe jo vetëm për familjarët e saj, por dhe për kolegët dhe qytetarët që ajo iu shërbeu me devotshmëri dhe profesionalizëm.” – shkruante ndër të tjera në njoftimin për shtyp ky Urdhër.

M.B.