Në filmin “Barbie” të Greta Gerwig, Barbieland është një parajsë barazie dhe diversiteti. Por edhe pse kukulla e famshme ka dalë që në vitin 1959, Mattel nisi në vitin 2019 prodhimin e Barbie-ve me aftësi të veçanta.
Tani kompania ka nxjerrë në treg kukullën e parë Barbie me diabet të tipit 1, risia e linjës së krijuar “për të mundësuar që më shumë fëmijë të shohin pasqyrimin e vetes dhe të inkurajojnë lojën me kukulla që shkon përtej përjetimit të një fëmije”, raporton The Guardian.
Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimunitare ku trupi sulmon dhe shkatërron qelizat në pankreas që prodhojnë insulinën. Ajo shpesh diagnostikohet në fëmijëri dhe pacientët duhet të matin nivelin e glukozëës dhe të injektojnë insulinën çdo ditë.
Kukulla Barbie është rezultat i bashkëpunimit me organizatën botërore jofitimprurëse për diabetin e tipit 1, Breakthrough T1D. Kukulla ka një monitor në krah i cili qëndron i palëvizur falë një ngjitësi mjekësor në formë zemre. Barbie ka edhe një celular me një aplikacion që mat nivelin e sheqerit në gjak gjatë ditës.
Kukulla ka edhe një pompë insuline që ajo të marrë dozën e duhur dhe një çantë ku mund të mbajë ushqime të shpejta që mund t’i nevojiten kur del.
Krista Berger, zëvendëspresidentja e Barbie, tha se kjo shënon “një hap të rëndësishëm në përkushtimin tonë ndaj përfshirjes dhe përfaqësimit.”
“Barbie ndihmon fëmijët të formësojnë perceptimet e para për botën dhe duke pasqyruar sëmundje si diabeti i tipit 1, ne sigurohemi që më shumë fëmijë ta shohin veten në historitë që përfytyrojnë dhe kukullat që duan.”
Sot ka më shumë se 175 lloje të ndryshme Barbie sa i përket ngjyrës së lëkurës, syve, flokëve, trupave dhe problemeve shëndetësore. Midis tyre ka një Barbie të verbër, një me ngjyrë që ka sindromën Down, me aparat dëgjimi, proteza dhe karrige me rrota si dhe një Barbie me vitiligo.





