Kryeministri i vendit, Edi Rama thotë se tetë grupe arkitektësh janë shpërndarë në territor dhe do kontribuojnë për shërimin e “plagëve urbane”, që sipas tij janë shkaktuar nga zaptimi i hapësirave publike.

Ai ka shpërndarë në rrjetin e tij social në  “Facebook” një hapësirë publike te 21 Dhjetori, e çliruar nga zaptimi.

Sipas tij, “fytyrën” e kësaj hapësire do ta shikojmë të shtrirë në çdo cep të Tiranës dhe jo vetëm.

“Kjo hapësirë publike e 21 Dhjetorit (si të tjera në Tiranë sot, nesër e në vijim) nuk është më “tok e xanun”, por në ndërkohë 8 grupe arkitektësh janë shpërndarë në territor për të inventarizuar plagët urbane që pas pastrimit kërkojnë shërim, duke u rikthyer me projekte të reja komunitare për të cilat kemi marrë angazhimin e mbi 100 arkitektëve të mirënjohur ndërkombëtarë që punojnë edhe në Shqipëri, e që do të kontribuojnë falas me projekt-idetë e tyre”, shkruan Rama.