Prodhimi i qumështit në Shqipëri ka pësuar rënie të ndjeshme gjatë vitit 2024.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, janë grumbulluar gjithsej 95 mijë tonë qumësht, duke shënuar një ulje prej 6,6% krahasuar me vitin e kaluar.
Pjesa më e madhe e këtij prodhimi, rreth 75 mijë tonë, është qumësht lope. Ndërsa qumështi i deles dhe dhisë kanë pësuar rënie përkatësisht me 9,7% dhe 3,1%.
Nga sasia e përgjithshme e grumbulluar, vetëm 12 mijë tonë janë përpunuar për konsum njerëzor. Pjesa tjetër është përdorur për prodhimin e nënprodukteve, si djathi, gjalpi dhe kos.
Rënie të fortë ka pësuar edhe prodhimi i djathit, me një ulje prej 9,9%, duke zbritur në 10.487 tonë. Rënia më e madhe është shënuar te djathi i dhisë, me 16,8% më pak.
Ndërkohë, prodhimi i gjalpit ka arritur në 657 tonë, ku 96% përbëhet nga gjalpë tradicional.
Ekspertët e statistikave theksojnë se shifrat reflektojnë ndryshime në strukturën e përpunimit dhe konsumit, ndërkohë që pjesa më e madhe e qumështit ende përpunohet ose konsumohet direkt nga fermerët.





