Një re e rrallë është shfaqur mbi qytetin Bowie në shtetin e Merilendit, SHBA duke shkaktuar habi dhe shqetësim tek banorët e zonës.

Me një formë të pazakontë dhe ngjyrë të errët, ajo u pa duke lëvizur me shpejtësi në horizont, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi një paralajmërim urgjent për rastin.

Sipas meteorologëve, ishte e ngjashme me një të ashtuquajtur “shelf”, e cila është një tregues i qartë i përkeqësimit të menjëhershëm të kushteve të motit që shpesh shoqërohet me erëra të fuqishme, reshje dhe rrufe.

Ishte ky moment që një qytetar arriti të filmojë. Videoja,  po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ka tërhequr vëmendjen e mijëra përdoruesve për shkak të pamjeve të pazakonta.

Ndërkohë, stuhitë kanë shkaktuar dëme të mëdha në disa shtete, përfshirë Uashingtonin dhe Masaçusetsin, ku shiu i dendur për pak minuta mbushi rrugët dhe krijoi bllokime në trafik.

Autoritetet meteorologjike u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin me kujdes paralajmërimet e motit, të qëndrojnë larg dritareve gjatë stuhive dhe të shmangin udhëtimet në zonat e përmbytura.